F. Jericho

BIOGRAFI

Jericho është një grup rock i formuar nga disa të rinj shqiptarë nga Kosova, në maj të vitit 1997 në Prishtinë. Ky grup njihet për muzikën dhe tekstin e tyre shumë të veçantë. Muzika e Jerichos është një përzierje e muzikës rock, alternative, elektronike dhe tradicionale shqiptare, e cila është karakteristikë për rajonin e Kosovës dhe veriut të Shqipërisë. Krahas instrumenteve standarde rock, ata përdorin edhe instrumente orientale që janë pjesë e muzikës tradicionale shqiptare, si tupani, kavalli dhe zurna.

 

Të gjitha këngët e Jerichos, trajtojnë çështje sociale, me theks të veçantë problemet që ka pasur dhe vazhdon të ketë populli shqiptar me qeverisjen e vendit. Një nga këngët e para dhe ajo që i mundësoi Jerichos të ndërtojë një publik rreth vetes është “Dont  f*** with Albanians”. Këngët e Jerichos janë të njohura kryesisht në mesin e të rinjve shqiptarë që jetojnë në Ballkan, por gjithashtu janë transmetuar në stacione të ndryshme të pavarura dhe radio alternative në të gjithë vendet e ish-Jugosllavisë. Përveç këngëve të sipërpërmendura, grupi “Jericho” njihet edhe për shumë këngë të tjera si: “Zgjohu”, “Tomlin e nonës”, “Kur do tpushojë kjo kangë”, “Albanian Rhapsody” e shumë të tjera.